Ky udhëzues do t’ju ndihmojë t’i vlerësoni artikujt informativë në bazë të standardeve profesionale të gazetarisë. Si përmbledhje e këtyre standardeve, udhëzuesi bazohet në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës, të hartuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara (KMSHK). Përveç këtij Kodi, udhëzuesi trajton edhe disa segmente problematike në rrafshin e medieve online. Udhëzuesi përmban informacione për këto segmente duke dhënë shpjegime të qarta normative dhe udhëzime për përdorimin e tyre në vlerësimin e artikujve gazetareskë. Rekomandohet që përdoruesit ta lexojnë këtë udhëzues para se të fillojnë vlerësimin e artikujve.
Ekipi i ekspertëve përbëhet prej profesionistëve të fushës së medias dhe gazetarisë, të cilët e kanë mbikëqyrur punën përgatitore të aplikacionit Checkos dhe metodologjinë e punës sonë. Ata shërbejnë si bazë e kredibilitetit të punës sonë dhe ofrojnë komente dhe sugjerime për zhvillim të mëtutjeshëm.